Një intervistë me boksierin nga Zajazi, Liku Azemi

Ali “Liku” Azemi do të i rikthehet sërish ringut të boksit sonte, këtë herë te No Limit Fight Night, në Leverkusen, Gjermani. Pas një përvoje të gjatë luftimi në boksin amator, Liku Azemi debutoi në mënyrë profesionale më 14 maj 2022, ku mundi me vendim të njëzëshëm boshnjakun Miladin Vranjes, duke fituar të gjitha raundet.

Me rastin e ndeshjes së tij sonte më ora 18:00 , Shoqata Zajazi ju sjell një intervistë ekskluzive me të. Në këtë bashkëbisedim, Aliu ndan me ne rrugëtimin e tij atletik, detaje të fitoreve të kaluara, si dhe çka synon për të ardhmen e tij. Lexoni më tepër në vijim dhe mësoni mbi ndeshjen e tij të rradhës.

1.Pyetja: Si filloj rrugëtimi juaj në sportin e boksit? A kishët mbështetje nga rrethi, familja?

Përgjigja: Me sport kam filluar të mirrem që kur isha 7 vjeç, por kryesisht kam luajtur futboll deri në moshën 14-15. Bëra një “pauzë” për rreth 1 vit dhe kur isha 16 vjeç fillova të bëj boks, me të cilin jam marrë këto 6 vitet e fundit. Një vit u stërvita te “Uskana Martial Arts”, dhe më pas 2 vite te KB Shkëndija. Fillova të boksohem edhe në Federatën e Boksit të Maqedonisë së Veriut, deri më 14 Maj kur debutova profesionalisht. Në fillim, familja ime ishte, natyrisht, skeptike. Por pasi panë angazhimin dhe pasionin tim, ato tash kanë besim të plotë tek unë. Nuk u dorëzova kurrë dhe ja ku qëndroj sot duke patur 2 fitore brenda 3 muajve.

2. Pyetja: Secili atletë ka ndikim në stilin e tij, kush është frymëzimi më i madh i juaj?

Përgjigja: Gjithmonë kam admiruar legjendën Muhamed Ali, sidomos teknikën e tij “rope-a-dope”, por edhe boksier të tillë si Canelo Alvarez.

3. Pyetja: Ju e mundët kundërshtarin tuaj të fundit, si e përshkruani atë natë nga pikëpamja e juaj? Çfarë ndodhi?

Përgjigja: U boksova me një boksier nga Hungaria të quajtur Achilles Szabo, ishte 33 vjeç. Raundi i parë filloj ngadalë, ngaqë unë më së shumti përpiqesha të testoja reagimet e tij,  si do të shmangte grushtat e mundshëm. E gjithë kjo ishte në përgatitje për raundet e mëvonshme. Në raundin e dytë arrita ta rrëzoja (knockdown) dy herë, fillimisht me një “uppercut” dhe më pas me një “haymaker”. Ai u ngrit, gjithsesi unë e vërejta tashmë se po humbiste ekuilibrin. Kur filloi raundi i tretë, unë fillova sërish të godisja në mënyrë më intenzive, dhe atëherë referi ndërhyri dhe gjyqtarët më shpallën fitimtar me anë të TKO-së, ngaqë kundërshtari im nuk ishte në gjendje të mbrohej më.

4. Pyetja: Çfarë sakrificash duhet të bëjë një atletë për të patur performancën e duhur në çastin vendimtar? 

Përgjigja: Ka shumë gjëra nga të cilat duhet të heqësh dorë. Duhet të jesh në një dietë të rreptë për të mbajtur peshë të caktuar. Ndonjëherë nuk mund të marrësh pjesë në ahenget shoqërore, pasi ato zhvillohen më vonë në natë, kohë gjatë së cilës unë supozohet të jem në gjumë. Më është dashur gjithashtu të mbaj punë. E gjithë kjo më ka bërë të jem mirënjohës për kohën që kam. Për stërvitjen gjithashtu më është dashur të jetoj në një banesë në Tetovë, konkretisht kur ushtroja në Klubin e Boksit “Shkëndija”.

IMG-20220826-WA0001

IMG-20220826-WA0002

Skena nga ndeshja e fundit e Likut, 30 Korrik 2022. 

5. Pyetja: Si është regjimi jot i stërvitjes? A stërvitesh çdo ditë?

Përgjigja: Stërvitem dy herë në ditë, gjashtë ditë në javë. Në mëngjes bëj vrap dhe shkoi në palestër/bëj crossfit. Kjo zakonisht zgjat rreth 1-2 orë. Në mbrëmje bëj stërvitjen time të boksit, duke përfshirë stërvitje me thes-boksi, ushtrime për “footwork” pra lëvizjen e këmbëve, sparing, ushtrime të tilla si “shadowboxing” etj. Kjo e tëra zgjat rreth 1 orë e gjysmë deri në 2 orë. Të diellave zakonisht kam ditën time të pushimit, por përpiqem të qëndroj aktiv edhe atëherë, ose thjesht të kompensoj gjërat që nuk mund t’i bëja gjatë javës.

6. Pyetja: Ku e sheh veten pas 3 vitesh?

Përgjigja: E shoh veten të kem një record të kem një record të mirë të boksit. Si fillim do të përpiqem të boksoj profesionalisht sa më shumë që të jetë e mundur. Besoj se nëse vazhdoj me këtë sukses, do të mund të boksoj për një titull Evropian në të ardhmen.

7. Pyetja: Sfidën e fundit nuk ua le ta vendosin gjyqtarët, a mendon se edhe këtë herë do të mund të mbyllësh betejën me KO?

Përgjigja: “In shaa-Allah.”

8. Pyetja: Dëshira për të luftuar dhe vazhduar përpara nuk vjen gjithmonë vetë. Çfarë është burim motivacioni për ju?

Përgjigja: Motivimi për mua është çështje mendore. Dua-s’dua, duhet të bëhet. Punën time do ta kryej, çfarë ndodh përtej kësaj nuk është e imja për ta vendosur. Ky fakt më bën të vazhdoj, të mos dorëzohem asnjëherë.

9. Pyetja: Po kohën e lirë si e kaloni?

Përgjigja: Kur mundem të gjej një hapësirë kohore të lire, mundohem ta shijoj me familjen ose me shokët e mij të ngushtë.

10. Pyetja:  Çfarë mund të na tregosh mbi ndeshjen tënde të sotshme?

Përgjigja:  Do të ndeshem me shtetasin serb Sllagjan Dragishiq, në kategorinë Super-middleweight (76.2KG). Kjo është hera e parë që boksohem profesionalisht jashtë Ballkanit, dhe besoj se do të shkojë mirë.

11. Pyetja: Si përfundim a dëshiron të shtosh diçka?

Përgjigja: Dua të falënderoj familjen, miqtë e mi për mbështetjen e tyre morale. Gjithashtu dua të falënderoj menaxherin dhe trajnerin tim Halim Abazi si  edhe kompaninë Gara, veçanërisht Xani Ibishin për ndihmën financiare. Shpresoj t’ju bëj krenarë të gjithëve.

Shoqata Zajazi i uron Likut suksese në ndeshjen e tij të sontshme. Arritja e tij këtu është rezultat i punës së palodhur dhe përkushtimit ndaj asaj që vërtetë dëshiron, dhe sinjalizon potencial të madh për një ardhme të sukseshme. Por gjithsesi, nuk mund të lëhet pa u përmendur rëndësia e përkrahjes së bashkësisë ndaj Likut, qoftë ajo financiare apo morale, mungesa e së ciliës do të shpallte këtë natë të pamundshme për të.


Për më tepër rreth Zajazit, na ndiqni në Facebook dhe Instagram!

 

Categories: Sport

Lini një Përgjigje