Analizë e antroponimisë së Zajazit sipas të dhënave të Regjistrit Kadastral Osman të viteve 1467/1468.

Zajazi, si një fshat me vendndodhje strategjike dhe të veçantë, historikisht ka shërbyer si urë lidhëze midis qyteteteve më të rëndësishme të  rajonit të Maqedonisë.Të gjith ato që për çfarëdo arsye kanë dëshiruar të kalojnë nga Ohri apo Manastiri deri në Shkup, Tetovë apo anasjelltas, qoftë në periudhën Osmane apo moderne, është dashur me doemos të kalojë nëpër trojet tradicionale të fshatit.

Duke marrë parasysh këtë, nuk është për t’u habitur që qe në regjistrin Osman të taksave të viteve 1467/68,  fshati i Zajazit figuron me gjithsej 20 kryefamiljarë, duke e bërë vendbanimin të dytë më të populluar në Nahijen e Kërçovës, me vendin e pare të përmbushur nga vetë qyteti i Kërçovës. Ky fakt nuk është për tu nënvlerësuar, ngaqë Nahija e Kërçovës e atëhershme, përveç se përbëhej nga shumica e territorit të komunës moderne të Kërçovës, përfshinte edhe fshatrat të komunave të sotshme të Pllasnicës dhe Brodit. Me këtë ndërmend, mund të bëhet argumenti se fshati që në atë kohë paraqiste si një mini-qendër rurale në rajon.

Në të kaluarën, studiues të ndryshëm maqedonas dhe serb kanë parashtruar argumentin që banorët shqiptarë të fshatrave të Kërçovës përbëhen ose nga një popullsi sllave e asimiluar (pra e islamizuar dhe shqiptarizuar) ose thjesht nga shqiptarë ardhacak. Kjo e fundit është bazuar në tezën se shqiptarët u vendosën në trojet e Kërçovës si “bashkëpunëtorë” të Turqve në shekullin e 18-19.(Frashëri 2011)  Falë zbulimeve të të dhënave demografike dhe onomastike të defterëve Osman, të cilët janë përkthyer edhe në shqip, këto teza tash më llogariten të vjetëruara.

Në vijim paraqesim listën e emrave vetjak të kryefamiljarëve të atëhershëm (së bashku me emrin e një familjari të afërt, për arsye identifikimi). Lista është përkthyer nga osmanlishtja në shqip nga studiuesi Dr. Iljaz Rexha.

Fshati Zajaz i Kërçovës, 20 kryefamiljarë, me këto emra : Niko, i biri i Progon-it; Lazar, i biri i Gjon-it; Jovan, i biri i Lazor-it; Marin, i biri i Nikola-s; Maric-i, i biri i Gjinit; Gjon, i biri i Gjura-s; Nina, i biri i Gjon-it; Dushman, i biri i Nikola-s; Niko, i biri i Dojçi-it; Todori, i biri i Gjinit; Tonka (Bojka), i biri i Gjin-it; Dushman, i biri i Dimitri-t; Niko, i biri i Dimitri-t; Maric, i biri i Pashka-çi-t; Kalçe, i biri i Pashkaçi-t; Stojko, i biri i Vin-it; Marko, i biri i Vin-it; Dimitri, i biri i Vin-it; Ton-ça, i biri i Radi-t; Niko, i biri i Dojçin-it. (Rexha 2011)

mkaza_40g

Harta e kufijve të Nahijes së Kërçovës 1467/1468 (aproksimim)

Edhe pse defterët Osman nuk regjistronin kombësinë, që në shikim të parë lehtësisht mund të vërehet karakteri fetar i krishterë ortodoks i fshatit në këtë periudhë. Përhapja intenzive e Islamit ende nuk kishte filluar në shumicën e fshatrave të Maqedonisë së sotshme, duke përjashtuar vetëm qendrat urbane të tilla si Shkupi, Tetova apo Shtipi bashkë me disa fshatra në rrethinën e tyre (Bardovci në Shkup).

Për të kuptuar më mirë identitetin etnik dhe gjuhësor, në këtë rast do të duhet të bëjmë një ndarje individuale të emrave dhe të njejtit t’i grupojmë në bazë të prejardhjes (etimologjisë) së tyre.

Rradhitur nga popullariteti, te grupi i parë mund të vendosim emrat të thjeshtë shqiptarë: Progon, Gjin, Gjon, Dushman, Nina, Lazor; si dhe ato me formime të shqipes, pra emra të cilët duhet të jenë transmetuar nga një shqipfolës (Pashkaç, Kalçe, Tonça). Prapashtesat ç/ça/çe shpesherë hasen te emrat me ndikim nga sllavishtja por që shqiptohen në përputhje me rregullat gjuhësore të shqipes. Të tillë kemi emrat Lalçe, Nikçe, Kolçe etj. Vlen të ceket përdorimi i antroponimit Kalçe, emërtim i cili bën pjesë në antroponimet të derivuara nga emrat e kafshëve, të tillë si Ulk/Ujk, Dash, Bua, Thi, Maz, Dos, Magush, Bibë etj.(Pulaha 1974) Emri Gjura zakonisht renditet tek emrat me prejardhje sllave, mirëpo në këtë rast paraqet emër sllav të dhënë nga regjistruesi në trajtën e shquar me nyjen e shqipes a. Kjo sugjeron se karakteri gjuhësor i këtij individi i takonte sferës shqipfolëse, (dyshim i cili forcohet nëse merret parasysh emri i të birit në fjalë, Gjon) dhe si i tillë do të llogaritet në këtë artikull. Mund të vlejë për t’u përmendur fakti që disa studiues (në disa kontekste) e llogarisin emrin Gjur si vetë me origjinë shqiptare, i cili në këtë rast dë të paraqiste derivat të fjalës gur (Idrizi 2019).  Emri Maric, i cili haset vetëm 2 herë, nuk ka etimologji të qartë, mirëpo si emër shfaqet në kontekst shqipfolës: Maric-i, i biri i Gjinit; Maric-i i biri i Pashka-ç-it, dhe mund të paraqes një formë diminutive të emrit Marin me prapashtesën c që haset në antroponiminë mesjetare shqiptare, si psh. Lulec, Gjinec etj. (Delvina 2006) Japim edhe shembullin të emrit të luftëtarit Suljot Fotomarra, emër i përngjitur nga Fotaq dhe i marrë. Gjithsesi, në këtë grupim mund të vendosim gjithsej 18 nga 40 emrat e kryefamiljarëve,  duke përbërë 45% të totalit.

Më tej, në grupimin e dytë hasim emra të përgjithshëm fetarë të krishterë ortodoks, të cilët përdoren nga të gjithë komunitetet ortodokse dhe, si të tillë, nuk mund të shfrytëzohen në vete për të përcaktuar një prejardhje etnike të caktuar. Këto emra janë: Lazar, Niko, Marin, Nikola, Todor, Dimitri, Marko. Gjithsej hasim 13 të tillë, pra 32,5% të totalit.

Grupi i tretë përbëhet nga emra të thjeshtë sllav: Dojçin, Bojka, Stojko, Radi, si edhe emra të krishterë me formime sllave (Jovan). Në këtë grup mund të vendosim 6 persona, gjithsej 15% e popullsisë. Ortodoksizmi paraqiste besimin dominant të shqiptarëve në trevat e Maqedonisë, dhe po nga ky ndikim i Kishës Ortodokse, konkretisht asaj serbe, te po këto shqiptarë për gjatë kohë praktikohej zakoni i vendosjes së emrave me kuptim në sllavisht, si Bogdan (dhuratë e Zotit). Ky fenomen është regjistruar dhe dokumentuar deri në fillimin e shekullit të 20, te shqiptarët ortodoks të Rekës së Epërme.

Në rend të katërt hasim emrin Vin, i cili nga të gjitha gjasat duhet të jetë një formim Vlleh i emrit Latin Vincentius. (Murati 2012) Ky emër haset 3 herë, por ngaqë është i vetmi me formim onomastik Vlleh, mund të bëhet fjalë për të njejtin person i cili pati tre djem (Dimitri, Stojko, Marko) të regjistruar si kryefamiljarë. Gjithsesi, nga që kjo është e pamundur për t’u vërtetuar, ky grup onomastik qëndron në 7.5% të totalit.

Si përfundim, shihet qartazi që numri më i madh i emrave i takonin sferës shqipfolëse, (45%), ato me karakter fetar qëndrojnë në rend të dytë (32.5%) dhe sllavofone dhe vllehe përbëjnë një pakicë relativisht të vogël (15% dhe 7.5% respektivisht).  Duke ditur këtë, mund të bëhet argumenti që pavarësisht faktit që defterët Osman nuk përmendin etninë, të dhënat gjuhëtare dhe onomastike më vete dëshmojnë që Shqiptarët përbënin popullsinë më të madhe të Zajazit në gjysmën e dytë të shekullit XV.

~Burime:

  • Idrizi, Xhemaludin (2019). ” MIKROTOPONIMIA E DERVENIT TË SHKUPIT”. Geo-SEE Institute), fq. 65
  • Rexha, Iljaz (2011). “Vendbanimet dhe popullsia albane gjatë mesjetës në hapësirën e Maqedonisë së sotme: Sipas burimeve sllave dhe osmane” Gjurmime Albanologjike: Seria e Shkencave Historike (41–42), fq. 116
  • Frashëri, Kristo (2011) “E Vërteta Mbi Shqiptarët E Maqedonisë Dhe Shtrembërimet E Enciklopedisë Së Shkupit” Studime Albanologjike, ITSH, fq. 228
  • Delvina, Sherif (2006) “Low Albania (Epirus) and Cham Issue” Eurolindja, fq. 137
  • Murati, Qemal (2012). “Sprovë Për Një Fjalor Etimologjik Onomastik Shqiptar”. Studime Albanologjike. ITSH: 10.
  • Pulaha, Selami (1974). Defter i Sanxhakut të Shkodrës 1485. Academy of Sciences of Albania. fq 33-42

 

Për më tepër rreth Zajazit, na ndiqni në Facebook dhe Instagram!

 

Lini një Përgjigje